Kisha Fjetja e Shën Mërisë ndodhet në lagjen Sarka dhe është kisha më e madhe e ruajtur në Voskopojë.
Ajo është një bazilikë trenefëshe, me naos, narteks në anën perëndimore, i cili u shkatërrua gjatë Luftës II Botërore, dhe hajati në anë jugore, që u shkatërrua nga tërmeti i vitit 1960.
Bazuar në mbishkrimin e dhuruesit, afresket e kishës janë pikturuar nga Teodor Anagnosti dhe Steriani nga fshati Agrafa, në 1712. Mbishkrimet e ikonave na njohin me një tjetër piktor ikonograf, Kostandin Jeromonahun.
Fotot e vjetra dhe gjurmët e ruajtura tregojnë për ekzistencën e një kompleksi ndërtimesh me karakter shoqëror. Ngjitur me kambanaren duhet të ketë qenë selia e qëndrimit të përkohshëm të mitropolitëve. Në anën jugore të oborrit ka qenë paraklisi i shenjtorëve anargjirë Kozmai dhe Damjanoi, ndërsa ngjitur me kishën, në anën veriore të saj ndodhet faltorja e vogël e Shën Marenës.