Kisha e Shën Mëhillit ndodhet në lagjen e dikurshme që mbante emrin e Shën Mëhillit, në pjesën jugperëndimore të qytetit.
Ajo përbën një ndërtim të gjysmës së parë të shek. XVIII, siç kumtohet në mbishkrimin mbi portën perëndimore, i cili i referohet datës 1722, si datë e themelimit të saj. Kjo fazë ka qenë një prej periudhave më të lulëzuara të Voskopojës, gjatë së cilës ajo përjetonte rritje të gjithanshme ekonomike dhe kulturore. Fatkeqësisht, të dhënat mbishkrimore ruhen të cunguara dhe nuk na japin të dhëna rreth mjeshtërave që u angazhuan në zbukurimin e brendësisë me piktura murale apo atyre që e ndërtuan kishën.
Megjithatë, nga një tjetër burim, siç është kodiku i Shën Harallambit, i mbiemëruar kodiku i esnafit të bakërxhinjve, mësojmë rreth kontributit të qytetarëve voskopojarë në favor të kësaj faltoreje, jo vetëm për ndërtimin por edhe për mirëmbajtjen dhe meremetimet e saj, për të cilat dallohet kontributi i esnafit të bakërxhinjve.
Kisha është një monument i tipit bazilikal, e cila në origjinë ishte pjesë e një kompleksi ndërtimesh, ku bënin pjesë edhe faltoret e Shën Spiridhonit dhe të Shën Varvarës. Ajo përbëhet nga ambientet e naosit, narteksit dhe hajatit. Krahas vlerave arkitekturore, në vetvete kisha është edhe një ansambël artistik me ikonostasin dhe punime të tjera të gdhendura në dru si dhe me ikona apo objekte liturgjike të një rëndësie të veçantë.